Cyrih: Punëtor 19-vjeçar humb jetën pasi goditet nga pllaka e betonit
Një aksident i rëndë pune ka ndodhur të enjten në mëngjes në Stäfa, afër Cyrihut, ku një punëtor 19-vjeçar ka humbur jetën gjatë punimeve të prishjes së një ndërtese.
Sipas Policisë Kantonale të Cyrihut, ngjarja ndodhi rreth orës 08:00. Një pllakë betoni u shkëput nga një strehë e objektit, duke rënë mbi punëtorin dhe duke e zënë poshtë.
Ekipet e zjarrfikësve arritën ta nxirrnin viktimën, ndërsa ekipi i emergjencës nisi menjëherë reanimimin. Megjithatë, plagët e marra ishin fatale dhe 19-vjeçari ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Policia Kantonale e Cyrihut, Prokuroria Publike dhe ekspertët përkatës kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik.
