Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë vlerësuar se liria e mediave në Kosovë ka pësuar një rënie shqetësuese që nga viti 2023, duke kërkuar veprim të menjëhershëm politik nga qeveria. Ky konstatim vjen pas një misioni dyditor në Prishtinë, i cili zbuloi një përkeqësim të statusit të mediave, kryesisht si pasojë e veprimeve të partisë në pushtet, Vetëvendosje (VV).
Delegacioni, që ishte pjesë e Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, theksoi se stabiliteti i mëparshëm i lirisë së mediave është zëvendësuar me një periudhë përkeqësimi gjatë tre viteve të fundit. Edhe pse Kosova ruan një mjedis mediatik pluralist, ka pasur incidente të pakta të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe legjislacion në përputhje me standardet evropiane, disa prej këtyre standardeve janë kompromentuar nga Vetëvendosje, sipas komunikatës së EFJ-së.
Ndër shqetësimet kryesore të ngritura janë:
* Miratimi i një ligji për media, i cili u shpall antikushtetues dhe do të rriste kontrollin politik mbi Komisionin e Pavarur të Mediave.
* Financimi i pamjaftueshëm dhe presioni politik ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
* Rritja e vazhdueshme e sulmeve verbale dhe denigrimit të gazetarëve nga zyrtarë të partisë në pushtet.
Këto zhvillime kanë dëmtuar progresin e mëparshëm të Kosovës në lirinë e mediave dhe kanë cenuar statusin e saj si një prej vendeve më të avancuara në rajon në këtë drejtim.
Sa i përket sigurisë së gazetarëve, delegacioni vlerësoi përmirësimet në menaxhimin e rasteve nga prokuroria dhe gjykatat. Strategjia e re e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (2026–2028), e cila prioritizon rastet që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), është mirëpritur dhe ka dhënë rezultate konkrete.
Megjithatë, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), numri i rasteve të denigrimit, diskreditimit dhe ngacmimit online ndaj gazetarëve, sidomos nga figura politike, është rritur ndjeshëm, duke arritur kulmin në vitin 2025. Burim kryesor i këtyre sulmeve janë politikanët e Vetëvendosjes. Delegacioni shprehu shqetësim të veçantë për përdorimin e gjuhës denigruese nga zyrtarë të kësaj partie, të cilët i cilësojnë gazetarët kritikë si “mercenarë serbë” apo “agjentë të huaj”. Për mediat e komuniteteve pakicë, presionet shtohen edhe nga kërcënime të jashtme dhe mungesa e qasjes në informacion në gjuhët e tyre.
Gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti, delegacioni i kërkoi atij dhe zyrtarëve të qeverisë të dënojnë publikisht këto sulme dhe të shmangin gjuhën përçarëse ndaj gazetarëve. Megjithatë, Kurti nuk u zotua për një dënim të tillë publik.
Delegacioni theksoi gjithashtu se, pavarësisht problemeve me ndikimin e interesave të biznesit në media, kjo nuk e përjashton përgjegjësinë e qeverisë për përkeqësimin e lirisë së mediave. U kërkua forcimi i pavarësisë dhe financimit të RTK-së, si dhe harmonizimi i legjislacionit me Aktin Evropian të Lirisë së Mediave (EMFA). Delegacioni ngriti shqetësime për kushte të vështira ekonomike, mungesë investimesh dhe raportime për ndërhyrje politike në transmetuesin publik.
Në aspektin ligjor, Kosova mbetet kryesisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe nuk është raportuar për arrestime të gazetarëve në vitet e fundit. Kryeministri Kurti dha premtime verbale se shpifja nuk do të rikriminalizohet, ndonëse ka pasur thirrje të tilla nga zyrtarë të lartë të partisë së tij. Megjithatë, fakti që Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë një ligj që cenonte pavarësinë e organit rregullator të mediave, konsiderohet një sinjal alarmi për presionin në rritje ndaj sistemit mediatik.
Delegacioni theksoi se liria e mediave është një shtyllë kyçe për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe bëri thirrje për hapa konkretë për rikthimin e besimit dhe përparimit në këtë fushë. Një raport i detajuar me rekomandime do t’i dorëzohet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, OKB-në dhe OSBE-në.
