Eugen Cakolli nga KDI, ka thënë se, reformat zgjedhore s’mund dhe s’duhet të bëhen kur zgjedhjet janë ‘’në prag’’, duke shtuar se ‘’asnjë reformë apo ndryshim substancial nuk mund të shtrohet si iniciativë katër ditë para një skenari eventual për zgjedhje’’.
Cakolli, ka thënë se, KQZ-së, ligjërisht nuk i takon të merret me afatet kushtetuese për formimin e institucioneve, apo, me momentin politik në të cilin ndodhet vendi.
‘’Nëse ka vullnet për reformë, atëherë ajo duhet të bëhet si proces i mirëfilltë, me analizë dhe konsultim të gjerë, dhe jo me ndërhyrje të nxituara në prag të zhvillimeve politike. Standardet e Komisionit të Venecias janë të qarta në këtë drejtim, duke theksuar se elementet themelore të legjislacionit zgjedhor nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit para zgjedhjeve, në mënyrë që të ruhet stabiliteti dhe besimi në proces’’, ka thënë ai mes tjerash.
Postimi:
Po – ulja e numrit të kandidatëve për të cilët votojnë qytetarët, nga 10 në 5, 3 apo 1 kandidat, duhet të trajtohet si pjesë e reformës zgjedhore. Por asnjë reformë apo ndryshim substancial nuk mund të shtrohet si iniciativë katër ditë para një skenari eventual për zgjedhje.
Aq më pak që një kërkesë e tillë të vijë nga KQZ-ja, të cilës ligjërisht nuk i takon të merret me afatet kushtetuese për formimin e institucioneve apo me momentin politik në të cilin ndodhet vendi.
Është e vërtetë që reduktimi i votimit ka bazë dhe lidhet drejtpërdrejt me problemet që janë parë në numërim dhe administrim. Megjithatë, ka shumë çështje të tjera po aq të rëndësishme që kërkojnë trajtim në reformën zgjedhore.
Përzgjedhja e një elementi të vetëm në këtë moment vetëm e zbeh seriozitetin e vetë procesit.
Nëse ka vullnet për reformë, atëherë ajo duhet të bëhet si proces i mirëfilltë, me analizë dhe konsultim të gjerë, dhe jo me ndërhyrje të nxituara në prag të zhvillimeve politike. Standardet e Komisionit të Venecias janë të qarta në këtë drejtim, duke theksuar se elementet themelore të legjislacionit zgjedhor nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit para zgjedhjeve, në mënyrë që të ruhet stabiliteti dhe besimi në proces.
Në anën tjetër, KQZ-ja mund t’i adresojë mangësitë procedurale, bazuar në mësimet nga proceset e fundit zgjedhore, për aq kohë sa ato mbeten teknike dhe brenda kuadrit aktual ligjor.
Pra, thënë thjeshtë, rregullat e zgjedhjeve nuk mund dhe nuk duhet të ndryshohen kur zgjedhjet janë në prag.
