“Babai im kishte edhe tre muaj jetë”: Gresa Sekiraqa prek publikun me rrëfimin e saj mbi të atin
“Ferma VIP” është kthyer në një arenë jo vetëm gare, por edhe rrëfimesh të thella personale. Një ndër to, ka qenë historia e ndarë së fundmi nga Gresa Sekiraqa, e cila ka prekur thellë publikun me rrëfimin e saj familjar për një prej periudhave më të vështira të jetës.
Këngëtarja rrëfeu sfidën e madhe që familja e saj ka përjetuar kur babai i saj u diagnostikua me kancer. Mjekët i dhanë një lajm tronditës mbi fatin e tij: ai kishte vetëm pak kohë jetë. Gresa, atëherë vetëm 19 vjeçe, u përball me një realitet të vështirë, që kërkonte forcë dhe menaxhim emocional.
“Më thanë se nuk do të kishte më shumë se disa muaj jetë. Unë isha 19 vjeçe. Duhej të bëhesha e fortë, por nuk munda,” rrëfen ajo. “Momentet më të vështira ishin kur babi mendonte se po vdiste dhe nxirrte nervat tek unë. Unë dilja jashtë dhe nuk doja të më shihnin duke qarë. Kam hyrë në banjo, i kam prerë flokët babait dhe më pas të miat.” Ajo theksoi gjithashtu: “Babi im e shijon jetën. Dhuratën më të madhe në jetë e kam babanë tim.”
Pavarësisht asaj periudhe të errët, historia e Gresës ka një fund të lumtur. Sot, babai i saj gëzon shëndet të plotë, dhe për këngëtaren, ai mbetet personi më i shtrenjtë dhe “dhurata më e madhe” në jetën e saj.
Rrëfimi i saj është pritur me shumë emocione nga publiku, duke i dhënë një dimension të ri dhe të ndjeshëm perceptimit mbi personazhet që janë pjesë e këtij formati.
