Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po synon pushtet absolut dhe jo thjesht qeverisje, duke theksuar se këto janë shenja të autoritarizmit.
Eman Rrahmani, deputet i PDK-së, ka shprehur mendimin se kërkesa e z. Kurti për më shumë se dy të tretat e pushtetit parlamentar nuk përbën synim për një qeverisje demokratike, por për një kontroll absolut. Sipas tij, këto janë indikatorë të qartë të autoritarizmit.
Këto deklarata vijnë në një postim të plotë të deputetit Rrahmani, ku ai zhvillon argumentin e tij duke e krahasuar situatën me regjime autoritare.
Rrahmani ka cituar se Albin Kurti “paska kërkuar mbi 80 deputetë, pra mbi 67% të votave.” Ai ka vazhduar duke bërë krahasime me vende ku shkallë të tilla përfaqësimi janë arritur:
* 🇷🇼 Rwanda – Paul Kagame: 98%
* 🇷🇺 Rusia – Vladimir Putin: 76–87%
* 🇧🇾 Bjellorusia – Alexander Lukashenko: 83%
* 🇸🇾 Siria – Bashar al-Assad: mbi 90%
* 🇹🇲 Turkmenistani 97%
* 🇺🇿 Uzbekistani 80%
* 🇨🇳 Kina – sistem njëpartiak 100%
* 🇰🇵 Koreja e Veriut 99%+
Më tej, deputeti ka theksuar dallimin me demokracitë evropiane. “Në demokracitë pluraliste evropiane, një parti apo lider rrallëherë i afrohet 50%, e lëre më 67%. Kur kërkon dy të tretat e pushtetit, nuk kërkon qeverisje, kërkon kontroll absolut,” ka argumentuar Rrahmani.
Ai e ka përmbyllur postimin e tij me vlerësimin: “Sot po jetojmë me shenja të autoritarizmit,” si dhe me pyetjen retorike: “A po kërkon Albin Kurti edhe më shumë se kaq?”
