**Të shtëna me armë në Kaçanik: Ndalohet një 26-vjeçar, i gjenden armë dhe thikë**
Policia e Kosovës ka njoftuar sot se dje janë raportuar të shtëna me armë zjarri në Kaçanik, ku pas një operacioni policor u ndalua një person 26-vjeçar, të cilit iu gjetën armë zjarri dhe një mjet i mprehtë.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 23:25, Stacioni Policor në Kaçanik pranoi një informatë për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Saniteks” të qytetit.
Menjëherë, patrullat policore shkuan në vendin e ngjarjes. Gjatë patrullimit në rrugën “Ismail Raka”, u ndalua një veturë me targa vendase, e drejtuar nga një person me inicialet L.M., 26 vjeç.
Gjatë verifikimit dhe kontrollit të personit dhe automjetit, në brezin e të dyshuarit u gjet një pistoletë me 5 fishekë, si dhe dy gëzhoja në xhepin e pantallonave të tij. Po ashtu, brenda veturës u gjet edhe një thikë.
Arma, fishekët, gëzhojat dhe thika u konfiskuan nga policia. I dyshuari u shoqërua në stacionin policor në Kaçanik, ku u intervistua nga njësiti i hetimeve. Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij u iniciua rasti “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Pas procedurave, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.
