Një tifoz është lënduar sot, si pasojë e një përleshjeje që shpërtheu në tribunat e stadiumit ku po zhvillohej ndeshja e futbollit mes Prishtinës së Re dhe Drenicës.
Rastin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana. Ai bëri të ditur se si pasojë e përleshjes dhe ndërhyrjes së menjëhershme policore, janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Pllana theksoi se: “Mund të konfirmoj se dy të dyshuar janë arrestuar. Njësitet relevante janë duke u marrë me hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.”
Ndeshja e Ligës së Parë, mes Prishtinës së Re dhe Drenicës, u zhvillua në fshatin Hajvali. Takimi përfundoi me fitoren e mysafirëve nga Drenica, me rezultat 2:3.
