**KEK njofton: Defekti në elektrofiltrat e Termocentralit “Kosova A” u sanua plotësisht**

**Prishtinë** – Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar publikun se ka stabilizuar plotësisht funksionimin e elektrofiltrave në Termocentralin “Kosova A”, pas një ndërprerjeje të përkohshme. Problemi, i cili buronte nga një ndërprerje në qarkun elektrik që furnizonte kompresorët e ajrit të sistemit, tashmë është tejkaluar.

Sipas njoftimit zyrtar të KEK-ut, angazhimi intensiv dhe profesional i stafit teknik bëri të mundur kryerjen e të gjitha ndërhyrjeve të nevojshme. Kjo çoi në sanimin e plotë të situatës dhe stabilizimin e funksionimit të elektrofiltrave, pajisje thelbësore për menaxhimin e emetimeve dhe mbrojtjen mjedisore.

Gjatë gjithë procesit të rregullimit, KEK thekson se janë zbatuar masa operative dhe parandaluese për mbrojtjen e aseteve dhe menaxhimin e situatës në përputhje me standardet teknike dhe mjedisore në fuqi.

Korporata ka shprehur mirënjohje për përkushtimin dhe reagimin e shpejtë të stafit të Termocentralit “Kosova A”, duke rikonfirmuar angazhimin e saj për një operim të sigurt, transparent dhe të qëndrueshëm të kapaciteteve energjetike.