Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Graçanicë, i dyshuar për ushtrim dhune në familje ndaj bashkëshortes së tij.

Ngjarja, sipas raportit policor, ka ndodhur rreth orës 13:00 të datës 25 prill 2026, pas një mosmarrëveshjeje mes çiftit. I dyshuari, një burrë kosovar, dyshohet se fillimisht e ka ofenduar e më pas ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, një grua gjithashtu kosovare.

Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Meqenëse kishte informacione se i dyshuari mund të posedonte armë, me urdhër të prokurorit kompetent, është bastisur shtëpia e tij. Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe konfiskuar dy thika të mëdha.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.