Autori i sulmit të armatosur pranë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Cole Tomas Allen, ka deklaruar pas arrestimit se synonte të qëllonte zyrtarë të administratës Trump. Incidenti ndodhi jashtë darkës vjetore, e cila zhvillohej në ambientet e një hoteli, dhe ku po merrnin pjesë Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump.

Pak pas fillimit të eventit, një zhurmë e fortë u dëgjua në hyrje të sallës, e ndjekur nga thirrje paniku: “Poshtë! Poshtë!” Të pranishmit, mes tyre gazetarë, ministra dhe personalitete të ndryshme, menjëherë u shtrinë në dysheme, ndërsa shumë prej tyre përdorën telefonat celularë për të filmuar momentin. Presidenti Trump dhe Zonja e Parë, të ulur në tryezën qendrore të nderit, u larguan me shpejtësi nga rojet e sigurisë.

Agjentë të Shërbimit Sekret hynë në sallë të armatosur rëndë. Më pas, forcat e sigurisë urdhëruan evakuimin e të gjithë mysafirëve nga salla e madhe e hotelit, e cila ndodhej në katin e parë të bodrumit. Në videot e bëra publike, Presidenti Trump shfaqet në tryezën e nderit së bashku me Zëvendëspresidentin J.D. Vance dhe zëdhënësen Caroline Levitt, ndërsa jashtë dëgjohen të shtëna.