Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini ka njoftuar se ka angazhuar stafin e Drejtorisë së Arsimit, për të ndërmarrë një aksion të gjerë në shkollat fillore e të mesme për evidentimin e mungesave të nxënësve dhe masave që po merren nga shkollat.
Siç thotë ai, shifrat janë shqetësuese, teksa thekoi se mungesat e paarsyeshme nuk janë vetëm orë të humbura mësimi, por një sinjal për probleme më të thella dhe një rrezik real për zhvillimin dhe të ardhmen e fëmijëve.
“Kur nxënësit nuk janë në shkollë, ku janë? A janë prindërit në dijeni? A po reagojnë shkollat me kohë dhe me seriozitet?”, pyet ai.
Sipas raportimeve në nivel vendi, flitet për rreth 4 milionë mungesa në një gjysmëvjetor, prej tyre afro 1 milion të paarsyeshme.
Kjo nuk mund të trajtohet si statistikë, shprehet Shahini, pasi sipas tij, është një alarm që kërkon reagim të menjëhershëm.
“Zgjidhja nuk është e njëanshme. Prindërit janë partnerë kyç dhe pa përfshirjen e tyre nuk mund të ketë ndryshim real. Në ditët në vijim do të intensifikojmë komunikimin me ta dhe do të ndërmarrim hapa konkretë, që mungesa të tilla të mos kalojnë pa përgjegjësi”.
