Pakistani akuzohet për sulmin ajror ndaj një universiteti në Afganistan. Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe 75 të tjerë janë plagosur, përfshirë studentë dhe një profesor, pas sulmeve ajrore me avionë dhe dronë pakistanezë në provincën lindore afgane të Kunarit. Kështu bëjnë me dije burime të shumta për BBC-në.
Sipas qeverisë talebane, 30 prej të plagosurve janë studentë universitarë.
Megjithatë, Ministria pakistaneze e Informacionit mohoi sulmin ndaj universitetit dhe zonave të banimit, duke i cilësuar raportimet si të rreme, njoftoi BBC.
Këto sulme në Kunar ndodhin disa javë pas një tjetër sulmi ajror pakistanez mbi një qendër për rehabilitimin e të droguarve në Kabul, kryeqytetin afgan, ku, sipas OKB-së, kanë humbur jetën 269 persona.
Një profesor i Universitetit të Kunarit i tha BBC-së se kishte dëgjuar shpërthime të tmerrshme në gjithë kampusin. Ndërkohë, Ministria afgane e Arsimit të Lartë deklaroi se ndërtesat dhe mjediset përreth universitetit kishin pësuar dëme të mëdha.
Qindra persona janë vrarë ose plagosur në përleshjet ndërkufitare mes Pakistanit dhe Afganistanit gjatë muajve të fundit.
