**Nisi në Austri gjyqi për planifikimin e sulmit në koncertin e Taylor Swift**

Në Austri nisi të martën procesi gjyqësor kundër një 21-vjeçari, i cili akuzohet për planifikimin e një sulmi terrorist në një koncert të Taylor Swift në Vjenë, rreth dy vjet më parë.

Sipas autoriteteve, plani u parandalua në kohë, por megjithatë koncertet e planifikuara për gusht 2024 u anuluan për arsye sigurie. Ky vendim shkaktoi zhgënjim të thellë te fansat, të cilët në vend të koncerteve organizuan tubime simbolike në qytet, të shoqëruara me shkëmbim byzylykësh dhe këngë kolektive.

I akuzuari, një shtetas austriak 21-vjeçar i identifikuar si Beran A., përballet me akuza për vepra terroriste dhe anëtarësim në një organizatë terroriste, duke rrezikuar dënim deri në 20 vjet burgim. Ai po gjykohet së bashku me një tjetër të dyshuar, Arda K.

Sipas prokurorisë, Beran A. kishte planifikuar të sulmonte turmat jashtë stadiumit Ernst Happel, ku priteshin deri në 30 mijë persona jashtë dhe 65 mijë brenda stadiumit. Ai dyshohet se synonte të shkaktonte viktima masive duke përdorur thika ose mjete shpërthyese të improvizuara.

Autoritetet deklarojnë se i dyshuari kishte kontakte me anëtarë të Shtetit Islamik (ISIS) dhe kishte tentuar të siguronte armë në mënyrë të paligjshme. Në shtëpinë e tij, gjatë një kontrolli të kryer në vitin 2024, u gjetën materiale për prodhimin e lëndëve shpërthyese, pak para se të mbaheshin koncertet.

Avokatja e tij ka deklaruar se klienti pritet të pranojë fajësinë për pjesën më të madhe të akuzave, shkruan AP, përcjell KosovaPress.

Taylor Swift reagoi më pas, duke theksuar se anulimi i koncerteve ishte “shkatërrues” dhe se arsyeja e sigurisë i kishte shkaktuar “frikë dhe ndjenjë faji” për fansat e saj.

Procesi gjyqësor zhvillohet në Wiener Neustadt dhe pritet të përfundojë më 12 maj.