Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore e qytetit masën e paraburgimit për pesë persona – F.U., N.S., J.M., B.L., dhe G.H. – të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe disa vepra të tjera penale.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, të gjitha sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Dyshimet e Prokurorisë tregojnë se F.U., J.M., B.L., G.H., dhe një person ende i paidentifikuar (NN), në bashkëpunim, kanë falsifikuar një dokument. Kjo është realizuar duke bërë që NN, me një letërnjoftim të falsifikuar, të paraqitej si S.V. – një person që kishte vdekur në vitin 1986. Më pas, me ndihmën e noterit G.H., ata kanë përpiluar një autorizim, gjoja nga S.V., për të autorizuar F.U. në shitjen e parcelave. Ky autorizim është përdorur në zyrën kadastrale të Ferizajt për të legalizuar përmbajtje të rreme dhe për të regjistruar pronat në emër të A.L., L.S. dhe N.S. Për këtë veprim, ata dyshohen për “Falsifikim të dokumenteve” në bashkëkryerje, sipas nenit 390, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Po ashtu, F.U. dhe N.S., në bashkëpunim me A.L. dhe L.S., dyshohen se në zyrën e noterit G.H. kanë përdorur dokumentin e falsifikuar me qëllim tjetërsimi të ngastrave kadastrale. Kjo vepër është klasifikuar si “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 395, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sa i përket noterit G.H., ai dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për të pandehurit e tjerë. Kjo vepër cilësohet si “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414, paragrafi 1 të KPRK-së. Gjithashtu, ekziston dyshimi se më 9 mars 2023, po në zyrën e tij noteriale, G.H. hartoi një kontratë shitblerjeje në gjuhën serbe, mes D.R. dhe D.R. (të përfaqësuar nga H.R.) si shitës, dhe N.R. si blerës. Kjo kontratë përfshinte ngastra kadastrale në Zonën Kadastrale Babush i Serbëve, ku ndër të tjera, u përfshi një ngastër prej 1724 m2. Ky veprim konsiderohet gjithashtu “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 i KPRK-së.
Për J.M., B.L., dhe personin e paidentifikuar (NN), Prokuroria dyshon se ata kanë ndihmuar noterin G.H. në keqpërdorimin e detyrës zyrtare (neni 414, paragrafi 1). Ata ndihmuan në hartimin e autorizimit të datës 14 mars 2024, me të cilin F.U. autorizohej të shiste ngastrat kadastrale të S.V., megjithëse ishin në dijeni se NN nuk ishte S.V., i cili kishte vdekur në vitin 1986. Ky autorizim u përdor më pas në zyrën e noterit për shitblerjen e ngastrave. Këto veprime përbëjnë “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje dhe në ndihmë, sipas nenit 414, paragrafi 1, lidhur me nenet 31 dhe 33 të KPRK-së.
Së fundi, Prokuroria dyshon se N.S., në bashkëpunim me L.S., kanë blerë sendet e përfituara nga vepra penale në zyrën e noterit G.H. Kjo klasifikohet si “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” në bashkëkryerje, sipas nenit 333, paragrafi 1 të KPRK-së.
Të pandehurit e përmendur gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga data 28 prill 2024, nën dyshimin për veprat penale të lartpërmendura.
