Portieri i Zaragozës dënohet rëndë me 13 ndeshje pezullim pas goditjes me grusht

Federata Spanjolle e Futbollit ka dënuar portierin e Zaragozës, Esteban Andrada, me 13 ndeshje pezullim të mërkurën, pas incidentit ku ai goditi me grusht në fytyrë një lojtar të SD Huesca.

Komisioni disiplinor i federatës bëri të ditur në një deklaratë se si përfaqësuesi argjentinas, ashtu edhe klubi i tij do të gjobiten. Kjo masë erdhi pasi Andrada fillimisht u përjashtua me karton të kuq dhe më pas sulmoi lojtarin e Huescas, Jorge Pulido, gjatë derbit të kategorisë së dytë, zhvilluar të dielën e kaluar.

Andrada u dënua me 12 ndeshje pezullim për vetë goditjen. Ndërsa kartoni i kuq fillestar solli automatikisht një ndeshje pezullim shtesë. Kjo e lë portierin jashtë loje për pjesën e mbetur të sezonit dhe ul ndjeshëm shpresat e Zaragozës për të shmangur rënien nga liga.

35-vjeçari, i huazuar nga klubi meksikan CF Monterrey, fillimisht e shtyu Pulidon. Për këtë veprim, ai mori kartonin e dytë të verdhë, çka rezultoi në përjashtimin e tij me karton të kuq. Më pas, Andrada humbi plotësisht kontrollin, vrapoi drejt Pulidos për ta goditur dhe shkaktoi një përleshje masive në fushën e lojës në minutat shtesë të takimit.

“E vërteta është se më vjen shumë, shumë keq për atë që ndodhi,” deklaroi Andrada pas ndeshjes. “Nuk është një pamje e mirë për klubin, për tifozët dhe sidomos jo për një profesionist si unë. Prandaj, më vjen thellësisht keq.”

Edhe portieri i Huescas, Dani Jiménez, dhe lojtari i Zaragozës, Dani Tasende, u përjashtuan nga loja pas përleshjes. Ndërkohë, Huesca arriti të ruajë fitoren 1-0. Jiménez u pezullua për katër ndeshje, ndërsa Tasende për dy.

“Pamë skena që nuk i përkasin këtij sporti dhe që nuk duhet të kishin ndodhur kurrë,” deklaroi klubi i Zaragozës në një reagim të dielën.