Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mblidhet sot, në orën 11:30, në mbledhjen e parë pas caktimit të datës 7 qershor 2026 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Në rend dite janë vendosja e afateve për aktivitetet zgjedhore dhe miratimi i planit të buxhetit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se plani i aktiviteteve zgjedhore do të përcaktojë afate kyçe për të gjithë procesin, duke përfshirë votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit. Ai detajoi se përcaktohen afatet për formimin e koalicioneve, deklarimin e mospjesëmarrjes në zgjedhje, certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Po ashtu, plani rregullon periudhën e fushatës zgjedhore, regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, votimin përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike, si dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta. Akreditimi i vëzhguesve dhe mediave është gjithashtu pjesë thelbësore e këtij plani.
Elezi ka theksuar se meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme, organizimi i tyre do të bëhet me afate të shkurtra kohore dhe KQZ do t’i përshtasë ato në përputhje me nevojat dhe rrethanat aktuale.
Përveç kësaj, në mbledhjen e sotme KQZ pritet të miratojë planifikimin e buxhetit të nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve. Elezi shpjegoi se viti 2026 nuk ishte parashikuar si vit zgjedhor, çka nënkupton se buxheti vjetor i KQZ-së nuk përmban fonde të planifikuara për zgjedhje të parakohshme. Për këtë arsye, KQZ do t’i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për sigurimin e mjeteve të domosdoshme për mbulimin e shpenzimeve të procesit zgjedhor, një praktikë kjo e ndjekur edhe në të kaluarën.
