Kombëtarja e Kosovës do të vishet me fanellat e brendit të njohur adidas për ciklin e ri të garave evropiane, në kuadër të Skemës së Asistencës për Veshje të UEFA-s. Përmes kësaj skeme, Federata e Futbollit e Kosovës përfiton nga furnizimi me veshje cilësore për ndeshje dhe stërvitje, të dizajnuara në mënyrë të personalizuar dhe në përputhje me identitetin e ekipit.
E themeluar në vitin 2007, skema e UEFA-s synon të mbështesë federatat kombëtare duke u ofruar atyre fanella dhe pajisje sportive të standardeve të larta. Në këtë cikël të ri, adidas është përzgjedhur si furnizues zyrtar pas një procesi tenderimi që ka vlerësuar cilësinë, përballueshmërinë dhe përvojën në projekte të ngjashme.
Për dy sezonet e ardhshme, dhjetë kombëtare evropiane, përfshirë Kosovën, do të paraqiten me dizajne unike të adidas, të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë me federatat përkatëse.
Për më tepër, Federata e Futbollit e Kosovës do të ketë qasje në shërbimin ekskluziv “Locker Room” të adidas, i cili mundëson dizajnimin dhe porositjen e veshjeve të personalizuara për ekipet, duke garantuar standarde të larta performance dhe prezantim dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
