Kombëtarja e Kosovës me fanella të reja nga Adidas

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme bashkëpunimi, sipas të cilës Kombëtarja e Kosovës do të vishet me fanella të firmës ndërkombëtare Adidas, duke filluar nga cikli i ri i garave evropiane.

Kjo marrëveshje vjen në kuadër të Programit të Asistencës për Veshje të UEFA-s, i cili u mundëson federatave kombëtare të sigurojnë pajisje dhe uniforma sportive cilësore për ndeshje dhe stërvitje.

FFK-ja thekson se veshjet e reja do të dizajnohen në mënyrë të personalizuar, duke pasqyruar identitetin dhe veçoritë e Kombëtares së Kosovës.

Për dy sezonet e ardhshme, dhjetë kombëtare evropiane, përfshirë edhe Kosovën, do të paraqiten me dizajne unike të Adidas-it. Këto dizajne janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me federatat respektive, me synimin për të krijuar një identitet vizual të veçantë për çdo përfaqësuese.

Për më tepër, FFK-ja do të ketë qasje në shërbimin ekskluziv “Locker Room” të Adidas-it, i cili ofron mundësinë e dizajnit dhe porositjes së veshjeve të personalizuara për ekipet.

Ky shërbim synon të përmirësojë standardet e performancës sportive dhe të sigurojë një përfaqësim sa më dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare.