Vendimi i Qeverisë Kurti në vitin 2021 për të mos proceduar më projektin e gazsjellësit, ka rezultuar me privim të Kosovës karshi nismave të fundit miliardëshe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon për të larguar ndikimin rus përmes investimeve në gazsjellës për LNG amerikan. Megjithatë pavarësisht kësaj, nga Uashingtoni zyrtar kanë thënë për Gazetën Express se Kosova mund të luaj rol të rëndësishëm në këtë synim të SHBA-së dhe se kompanitë amerikane vazhdojnë të mbesin të interesuara për të ndihmuar Kosovën për qasje në burime të energjisë, përfshirë qymyrin dhe gazin natyror.
Më 30 shtator 2021, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media kishte konfirmuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos proceduar me projektin e gazsjellësit që përkrahej nga Qeveria amerikane. Në vend të kësaj, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti kishte vendosur të marrë përkrahjen financiare nga Uashingtoni, konkretisht MCC, për ndërtimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë elektrike.
Orientimi drejt projektit të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, ka bërë që Kosova ta kufizojë veten dhe të mbetet jashtë nismave të fundit të Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e gazsjellësve në vende të rajonit, përmes projekteve miliardëshe.
Vetëm gjatë muajit prill, SHBA ka nënshkruar marrëveshje me Shqipërinë (ku është e përfshirë edhe Greqia), Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.
Më 29 prill 2026, në Tiranë është nënshkruar një marrëveshje 6 miliardëshe me SHBA-në për furnizim me gaz të lëngshëm natyror, si pjesë e planit për diversifikim të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike. Në kuadër të këtij projekti do të ketë ndërveprim edhe Greqia.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, e pranishme ishte edhe ambasadorja e SHBA-ve në Greqi, Kimberly Guilfoyle e cila në fjalën e saj tha se Shqipëria po luan një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor.
“Ka dy marrëveshje shumë të rëndësishme që po nënshkruhen sot, që është marrëveshja 6 miliardë dollarëshe për gazin e lëngshëm natyror, që tregon se Shqipëria po luan gjithmonë një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor. Në sektorin energjetik siguria dhe begatia, mirëqenia shkojnë krah për krah. Memorandumi i mirëkuptimit për studimin, zhvillimin, ndërtimin dhe vënien në veprimtari të një qendre thelbësore energjetike përfshirë një impiant gazi, dëshmojnë rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton energjisë së qëndrueshme në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ndër të tjera ambasadorja Guilfoyle.
I was honored to travel to Tirana to advance @POTUS’ energy agenda and join PM @ediramaal to participate in a signing ceremony of a historic deal between Albania, Venture Global and Aktor LNG USA on a 20-year U.S. LNG agreement. This $6B commitment strengthens energy security—and…
— Ambassador Kimberly Guilfoyle (@USAmbassadorGR) April 28, 2026
Marrëveshje të ngjashme SHBA ka nënshkruar edhe me Kroacinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada e SHBA-së në Bosnje e Hercegovinë, duke treguar se ky projekt ka të bëjë me ndërtimin e tubacionit të gazit të quajtur “Southern Interconection”.
Ky projekt ka të bëjë me gazin e lëngshëm amerikan, që sipas ambasadës amerikane forcon pavarësinë energjetike dhe i jep fund varësisë nga gazi rus.
“Një epokë e re për sigurinë energjetike në Ballkanin Perëndimor ka filluar. Shtetet e Bashkuara, Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina nënshkruan një deklaratë qëllimi për të mbështetur tubacionin e gazit Southern Interconnection – një projekt transformues që i jep BeH qasje të drejtpërdrejtë në LNG të besueshëm. Ky partneritet forcon pavarësinë energjetike dhe i jep fund varësisë nga gazi rus”, ka shkruar Ambasada.
A new era for energy security in the Western Balkans has begun. The United States, Croatia, and Bosnia and Herzegovina signed a statement of intent to support the Southern Interconnection gas pipeline—a transformative project that gives BiH direct access to reliable LNG. This… pic.twitter.com/bolFKUyrjJ
— US Embassy Sarajevo (@USEmbassySJJ) April 28, 2026
Por a ka ndërmend SHBA-ja që të përfshijë Kosovën në projektet e gazsjellësit që synojnë sjelljen e gazit të lëngshëm amerikan (LNG) në Ballkan, si strategji për luftimin e ndikimit rus në rajon?
Në një përgjigje ekskluzive nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Express kanë thënë se Kosova mund të luaj rol në nismën e SHBA-së për të larguar ndikimin rus në Evropë. Nga Uashingtoni thonë gjithashtu se kompanitë amerikane vazhdojnë të jenë të interesuara për ta ndihmuar Kosovën në përmirësimin e qasjes në burime të ndryshme të energjisë, pa përjashtuar qymyrin e gazin natyror.
“Samiti Transatlantik për Sigurinë e Gazit në Uashington në fund të shkurtit tregoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj për të zëvendësuar furnizimet ruse me energji në Evropë dhe për ta zëvendësuar atë me LNG të siguruar nga amerikanët. Kosova mund të luajë një rol kyç në këto përpjekje. Kompanitë amerikane, përfshirë General Electric, kanë ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës energjetike të Kosovës dhe ato mbeten të interesuara në përmirësimin e aksesit të Kosovës në burime të larmishme energjie, duke përfshirë burimet e rinovueshme, qymyrin dhe potencialisht gazin natyror”, kanë thënë për Express nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Amerikanët në përgjigjen për Express kanë përmendur edhe përkrahjen përmes MCC-së si një platformë qendrore për të ndihmuar Kosovën sa i përket investimeve në sektorin energjetik.
“Marrëveshja MCC është një nga mënyrat kryesore se si Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë në krijimin e një sektori energjetik më të sigurt dhe të besueshëm në Kosovë. Një komponent qendror i Programit Kompakt është ndërtimi i sistemeve të ruajtjes së energjisë në bateri në shkallë të gjerë (BESS), të cilat do të rrisin ndjeshëm stabilitetin e rrjetit elektrik të Kosovës, do të zvogëlojnë varësinë e tij nga importet emergjente dhe do të përmirësojnë besueshmërinë për familjet dhe bizneset”, kanë përfunduar nga DASH.
Lidhur me mbetjen jashtë të Kosovës nga nismat e SHBA-së lidhur me gazin, Express i ka drejtuar pyetje edhe ministrisë së Ekonomisë që drejtohet nga ministrja Artane Rizvanolli, megjithatë nga kjo ministri s’janë përgjigjur ndonëse pyetjet janë dërguar me datën 25 shkurt 2026.
Ministrja Rizvanolli, tashmë në detyrë, kishte marrë pjesë në Samitin për gazin të organizuar në muajin shkurt në SHBA, megjithatë Kosova s’është përfshirë në listën e vendeve nënshkruese të deklaratës së përbashkët ku përfshihen Greqia, Bullgaria, Hungaria, Polonia, Rumania, Sllovakia, Moldavia, Ukraina, Kroacia, Lituania, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina dhe Shtetet e Bashkuara.

Kosova në vitet e fundit është përballur me krizë energjetike dhe si pasojë e varësisë nga importi, çmimi i energjisë elektrike në vend është rritur disa herë.
