Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur nismën e kongresmenëve amerikanë për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke theksuar se ky hap shërben si interesave të Kosovës, ashtu edhe atyre të Shteteve të Bashkuara.
Në reagimin e saj, Presidentja Osmani u shpreh mirënjohëse ndaj kongresmenëve amerikanë, të cilët kanë iniciuar një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO.
“Liria e Kosovës u farkëtua së bashku me Shtetet e Bashkuara. Sot, Forca e Sigurisë së Kosovës qëndron si një forcë mbrojtëse e ndërveprueshme me NATO-n, e ndërtuar në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura të SHBA-së. Me udhëheqjen dhe partneritetin e Amerikës, Kosova duhet të përparojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurt drejt vendit që i takon në NATO,” shkroi Osmani.
Ajo shtoi se ky është “një angazhim strategjik i përbashkët, i fortë dhe i palëkundur, si dhe një imperativ për paqen, sigurinë dhe stabilitetin për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën në përgjithësi. Anëtarësimi i Kosovës në NATO përparon si interesat tona, ashtu edhe interesat amerikane në kontinentin evropian.”
Reagimi i Osmanit u bë përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), më 1 maj 2026.
