Mbrojtësi i Manchester Cityt, Nathan Aké, i është ofruar Interit, sipas raportimeve të mediave italiane. Kjo lëvizje vjen në kohën kur klubi italian po kërkon të forcojë sektorin defensiv për sezonin e ardhshëm.
Pritet që Francesco Acerbi, Matteo Darmian dhe Stefan de Vrij të largohen nga skuadra, ndërsa edhe Alessandro Bastoni dhe Carlos Augusto thuhet se po shqyrtojnë të ardhmen e tyre.
Sipas burimeve pranë “FCInterNews”, Aké është propozuar tek Interi nga agjentë transferimesh që përfaqësojnë interesat e lojtarit.
Kontrata e mbrojtësit holandez me Manchester Cityn skadon në qershor 2027. Kjo mund ta shtyjë klubin anglez të konsiderojë shitjen e tij këtë verë për të shmangur rrezikun e largimit falas në të ardhmen.
Aké, i cili tashmë ka një përvojë të konsiderueshme, është lidhur edhe me klube të tjera si Bayer Leverkusen dhe Beşiktaş. Ardhja e tij do të sillte një eksperiencë të vlefshme në mbrojtjen e Interit.
Manchester City e transferoi Akén nga Bournemouth në vitin 2020 për rreth 45 milionë euro. Më parë, ai ka qenë pjesë e Chelseat, Watfordit, Readingut dhe akademisë së Feyenoordit.
Një situatë e ngjashme ndodhi verën e kaluar me Manuel Akanjin, i cili, megjithëse ishte një element thelbësor për Cityn, iu bashkua Interit në huazim me të drejtë blerjeje prej 15 milionë eurosh. Kjo klauzolë do të bëhet detyruese nëse Interi fiton Serinë A, një titull që pritet të vuloset që këtë fundjavë. Nëse Aké do t’i bashkohet Interit, ai do të ribashkohej me Akanjin, me të cilin ka luajtur te Manchester City.
