Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar rrezikun e humbjes së një pjese të konsiderueshme të fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si pasojë e mungesës së institucioneve funksionale dhe vonesave në realizimin e reformave të nevojshme. Kjo situatë, sipas tij, përkeqësohet nga shkuarja në zgjedhje të parakohshme, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Rafuna theksoi se megjithëse Kosova ka përfituar 63 milionë euro si parafinancim nga paketa prej rreth 880 milionë eurosh, pjesa dërrmuese e këtyre fondeve është e kushtëzuar me përmbushjen e reformave strukturore.

“Kemi qenë të paralajmëruar për vonesat,” citohet Rafuna. “Kosova ishte i vetmi shtet që e ratifikoi marrëveshjen për Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian me vonesë. Shuma totale e parashikuar është rreth 880 milionë euro. Pas ratifikimit, Kosova përfitoi 63 milionë euro si parafinancim. Megjithatë, pjesa tjetër e fondeve nuk mund të tërhiqet pa u kryer reformat e nevojshme. Mungesa e institucioneve me kompetenca të plota, si dhe shkuarja në zgjedhje, e bëjnë të pamundur avancimin dhe dëshmimin e progresit të kërkuar për të siguruar fondet e mbetura. Rrjedhimisht, ekziston një rrezik i madh që të humbim një pjesë të konsiderueshme të këtyre mjeteve, pasi Kuvendi nuk është funksional dhe Qeveria është në detyrë.”

Ai shtoi se situata aktuale politike e bën pothuajse të pamundur miratimin e projekteve dhe programeve të nevojshme nga Plani i Rritjes, pasi partitë politike janë të përqendruara në fushatë. “Tani është shumë vonë,” tha Rafuna. “Të gjitha partitë politike nuk janë pjesë e Kuvendit për të pasur mundësinë të miratojnë planet, programet ose projektet e ndryshme që vijnë nga Plani i Rritjes. Tani të gjithë janë të përqendruar në fushatë.” Ai apeloi që fushata të përfundojë sa më shpejt brenda afateve kushtetuese dhe institucionet e reja të themelohen pa humbur kohë, në mënyrë që të vazhdojnë reformat dhe të tërheqin fondet. “Shpresoj shumë që për shkak të situatës me zgjedhje, Bashkimi Evropian nuk do ta ndalojë financimin, por ne nuk duhet ta neglizhojmë këtë. Duhet të punojmë shumë dhe të jemi në kontakt me zyrtarët e BE-së për të parë se si, brenda kapaciteteve ekzistuese të institucioneve tona, mund të bëjmë reforma dhe të shfrytëzojmë fondet e Planit të Rritjes,” theksoi ai.

Rafuna foli edhe për ndikimin e faktorëve globalë në ekonominë vendore, duke theksuar se Kosova ka importuar inflacion për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe derivateve. Ai shpjegoi se, megjithëse Kosova nuk është ndikuar drejtpërdrejt nga situata në ngushticën e Hormuzit, ajo është prekur në mënyrë indirekte. “Kemi importuar inflacionin si rezultat i rritjes së çmimit të derivateve të naftës dhe energjisë. Dihet se përmes ngushticës së Hormuzit kalon zyrtarisht 20% e tregtisë botërore, ndërsa jozyrtarisht shkon deri në 30%. Meqenëse jemi një vend që importon shumë, ku vlera e importit ka arritur gati 7 miliardë euro, bashkë me importin kemi importuar edhe rritjen e çmimeve dhe inflacionin. Jemi dëshmitarë të rritjes së çmimit të derivateve të naftës në vendin tonë,” deklaroi ai.

Rafuna theksoi se rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos për bizneset dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë. “Çmimi i derivateve të naftës dhe i energjisë elektrike është një kosto operative për çdo biznes, dhe kjo ka shkaktuar automatikisht inflacion,” tha Rafuna. Ai shtoi se Oda Ekonomike i ka kërkuar Qeverisë të marrë masa, si ulja e tatimit të akcizës ose TVSH-së, por kërkesa e tyre nuk ka gjetur mbështetje. “Tani po shohim pasojat në çdo sektor, sidomos në bujqësi, ku bujqve u kushton shumë shtrenjtë puna e tokës në një kohë kur është thelbësore të punohet. Jemi të shqetësuar edhe për sektorin e transportit të mallrave, pasi ka rritur ndjeshëm çmimin e prodhimeve tona, si dhe për sektorë të tjerë të cilëve Qeveria nuk u ka ofruar ndihmë,” përfundoi Rafuna.