**Bllokada amerikane kërcënon prodhimin e naftës në Iran: Presioni gjeologjik, faktori kyç**
Irani po përballet me presion të rëndë nga bombardimet amerikane dhe izraelite, si dhe nga sanksionet ndërkombëtare. Por, duket se gjeologjia mund të jetë faktori vendimtar që do ta detyrojë Teheranin të bëjë lëshime strategjike në përballjen e vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa bllokada detare e SHBA-së kundër Iranit po hyn në javën e tretë, të dhënat nga vëzhguesit e transportit dhe industrisë tregojnë se asnjë cisternë nuk ka mundur të transportojë naftën bruto iraniane përmes Ngushticës së Hormuzit drejt tregjeve aziatike.
Si pasojë, depozitat e naftës në Iran po mbushen me shpejtësi dhe koha po i mbaron Teheranit para se të detyrohet të ndërpresë prodhimin. Ky problem, theksojnë analistët, vjen në një kohë kur Irani po përpiqet t’i bëjë ballë trysnisë së SHBA-së për të negociuar një marrëveshje paqeje.
**”Ndikim gjeologjik”**
“Ky problem ka një ndikim më shumë gjeologjik sesa çdo gjë tjetër lidhur me mënyrën e nxjerrjes së naftës,” shpjegon Stephen Innes, partner menaxhues në SPI Asset Management, një firmë këshilluese për këmbimin valutor dhe mallra, për Radion Evropa e Lirë (REL).
Ai sqaron se, pasi valvulet mbyllen, nafta ka prirjen të zbresë në fund të rezervuarit, duke u bërë ngjitëse dhe e trashë. Kjo kërkon shumë forcë për ta nxjerrë sërish lart. Pasoja, shton ai, mund të jetë madje “fundi i lojës” për sektorin e naftës.
“I gjithë procesi për të shtuar trysninë dhe për ta nxjerrë me sukses [naftën] sërish nga pusi, mund të zgjasë ndoshta një vit. Shumë njerëz mendojnë se kjo do të ishte thjesht fundi i prodhimit, sepse rifillimi do të ishte tepër i kushtueshëm,” tha Innes.
Një shënim kërkimor i publikuar nga Goldman Sachs më 23 prill theksonte se vendet me presion relativisht të ulët të rezervuarit, si Irani dhe Iraku, kanë një pjesë më të lartë të prodhimit që vlerësohet të jetë më e ndjeshme ndaj kësaj çështjeje. Raporti, që shqyrtoi sektorët e naftës në të gjithë vendet e Gjirit Persik, sugjeroi se rikuperimi i niveleve të prodhimit të naftës “mund të jetë vetëm i pjesshëm pas një mbylljeje të zgjatur”.
Mehdi Moslehi, një konsulent iranian me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili ka punuar në sektorin e naftës për një dekadë, u pajtua se kohëzgjatja e çdo ndërprerjeje të nxjerrjes së naftës do të ishte thelbësore.
“Nëse prodhimi në një pus ndalet për një periudhë të shkurtër, le të themi nga një javë deri në dy ose maksimumi tri javë, atëherë mund të vihet përsëri në funksion,” i tha ai Radios Farda të REL-it. “Por, nëse një pus mbetet i mbyllur për një periudhë të gjatë, veçanërisht sepse puset e naftës në jug të Iranit kryesisht kanë përmbajtje të lartë squfuri dhe varësisht sa i vjetër është pusi, do të ketë probleme serioze. Presioni i rezervuarit mund të bjerë,” shpjegon ai.
**Në garë kundër kohës**
Natyrisht, Irani mund të mos ketë nevojë ta ndalë prodhimin. Por, të dhënat e publikuara këtë javë tregojnë se ai tashmë është në garë me kohën.
Një raport i fundit nga Kpler, një kompani analitike për mallrat dhe transportin, tha se “asnjë cisternë e konfirmuar nuk ka dalë nga zona e bllokadës së SHBA-së” qëkurse Uashingtoni filloi ta zbatojë bllokadën më 13 prill. “Disa cisterna kaluan përmes Ngushticës së Hormuzit, por nuk arritën ta kalonin bllokadën e SHBA-së, e cila ndodhet më në jug midis Gjirit të Omanit dhe Detit Arabik,” thuhej në raport.
Kjo është arsyeja pse rezervat e naftës së Iranit po mbushen. Kpler vlerësoi se Iranit i ka mbetur hapësirë e lirë për rreth 12 ditë naftë para se rezervuarët t’i mbushen plotësisht. Disa analistë të tjerë kanë dhënë një dritare kohore prej 2-3 javësh.
“Më herët, mund të thoshim se koha ishte në anën e republikës islamike. Por, tani nuk mund ta themi më këtë,” tha analisti i Kpler, Homayoun Falakshahi, për Radion Farda. “Rregullat e lojës janë bërë disi të balancuara.”
Në anën tjetër, presioni rritet edhe nga kërcënimi i Iranit për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, duke penguar eksportet e naftës nga vendet e tjera të Gjirit. Kjo ka çuar në rritje të çmimeve të naftës dhe ka goditur furnizimin në ekonominë globale, duke prekur jo vetëm naftën, por edhe gazin dhe mallra të tjera jetike.
“Për momentin, kjo është një lojë qëndrueshmërie, për të parë se cila palë dorëzohet më shumë në afat të shkurtër. Çmimet rreth 100–110 dollarë, madje deri në 120 dollarë për fuçi, janë ende nivele që ekonomia globale mund t’i përballojë. Megjithatë, nëse Ngushtica e Hormuzit mbyllet në ditët ose javët në vijim, çmimet ka të ngjarë të rriten më tej,” shpjegoi Falakshahi.
Më 29 prill, nafta Brent u rrit ndjeshëm në 115 dollarë për fuçi pas një raporti në The Wall Street Journal se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u kishte thënë ndihmësve të përgatiteshin për një bllokadë “të zgjatur”.
Ndërkohë, Irani po kërkon mënyra të tjera për të lehtësuar presionin mbi magazinimin. Ka diskutime për dërgimin e naftës me tren në Kinë, e cila është klientja më e madhe e Iranit. Por, kjo do të ishte më e shtrenjtë dhe në sasi më të vogla sesa transporti me cisterna, dhe si rrjedhojë do të kishte ndikim të kufizuar.
Hapi i radhës i Iranit mund të jetë përshkallëzimi i mëtejshëm. Ndërsa prodhues të tjerë të Gjirit Persik kanë përdorur rrugë alternative, si tubacioni Lindje-Perëndim i Arabisë Saudite drejt Detit të Kuq, për të lehtësuar presionin e magazinimit, Irani mund t’i mobilizojë forcat e tij përfaqësuese, si Huthët në Jemen, për ta sulmuar këtë rrugë. Ata mund të synojnë transportin në Ngushticën Bab al-Mandab, përmes së cilës kalon rreth 10 për qind e naftës botërore të transportuar përmes detit.
Por, kjo do të përfshinte gjithashtu rreziqe të mëdha për Teheranin. Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë e tyre të madhe ushtarake në rajon dhe kanë sinjalizuar mundësinë e rinisjes së luftimeve.
“Ndjesia në treg është se diçka do të arrihet në frontin e marrëveshjes brenda tri javëve të ardhshme,” theksoi Innes.
