Italia në zi: Ndërron jetë në moshën 59-vjeçare Alex Zanardi, ikona e sportit dhe shembull frymëzimi

Sporti italian dhe bota paralimpike janë në zi pas ndarjes nga jeta të Alex Zanardit, ish-pilotit të Formula 1 dhe kampionit paralimpik, i cili ndërroi jetë dje, më 1 maj, në moshën 59-vjeçare. Zanardi, i lindur në vitin 1966, ishte një simbol i forcës dhe vullnetit, duke u shndërruar në frymëzim global pas një aksidenti automobilistik në vitin 2001, ku humbi të dyja këmbët.

Pavarësisht kësaj tragjedie, Zanardi iu kushtua paracyclizmit, duke fituar medalje të shumta në Lojërat Paralimpike, përfshirë katër medalje të arta në Londër 2012 dhe Rio 2016, si dhe tetë tituj kampioni bote në garat rrugore. Rrugëtimi i tij plot sfida u përball me një tjetër aksident tragjik në vitin 2020, ndërsa merrte pjesë në një garë bamirësie me handbike, të cilën ai vetë e kishte organizuar.

Familja e Zanardit njoftoi me dhimbje të thellë ndarjen e tij nga jeta, e cila, sipas tyre, ndodhi “në mënyrë të papritur”. Në tetor, Alex do të kishte mbushur 60 vjeç. Në deklaratën e saj, familja theksoi se Alex “u shua në qetësi, i rrethuar nga dashuria e njerëzve të tij më të dashur”. Ata falënderuan të gjithë ata që u shfaqën pranë tyre në këto orë të vështira dhe kërkuan respektimin e privatësisë në këtë moment zie.

Alex Zanardi do të mbahet mend si një sportist i gjithanshëm dhe i shkëlqyer, i cili luftoi, vuajti, por edhe fitoi shumë, duke treguar një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore. Ai bëri gjithçka që mundi për të ndihmuar të tjerët dhe për të shtyrë përpara lëvizjen paralimpike, duke ndërmarrë iniciativa të shumta dhe duke kontribuar pa kursim. Një person empatik, i disponueshëm dhe gjithmonë me batutën gati, ai ishte autorironik, si të gjithë ata që kishin bërë paqe me veten e tyre.

Me largimin e tij, Alex Zanardi mbylli një cikël të jashtëzakonshëm jete. Ai lë pas bashkëshorten Daniela dhe djalin Niccolò, dhe tashmë besohet se është ribashkuar me motrën e tij Cristina, e cila humbi jetën në një aksident rrugor në vitin 1979.