KQZ detyron partitë politike të deklarojnë pjesëmarrjen dhe formimin e koalicioneve zgjedhore deri më 7 maj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u ka caktuar një afat të gjitha partive politike të regjistruara në Kosovë, deri më 7 maj 2026, për të deklaruar nëse do të marrin pjesë apo jo në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të caktuara më 7 qershor 2026. Brenda këtij afati, partitë duhet të njoftojnë KQZ-në edhe për formimin e koalicioneve të mundshme zgjedhore.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, bëri të ditur se ky detyrim vlen për 53 partitë politike aktualisht pjesë e regjistrit, ndërsa nuk përfshin nismat qytetare apo kandidatët e pavarur. Sipas Elezit, afati shtatëditor, nga 1 deri më 7 maj, është vendimtar për të gjitha deklarimet e nevojshme.

Ai theksoi se edhe partitë që synojnë të garojnë nëpërmjet koalicioneve duhet ta njoftojnë KQZ-në brenda të njëjtit afat. Elezi shpjegoi se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet të informojnë Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike në KQZ.

Më tej, Elezi sqaroi rregullat për koalicionet zgjedhore, duke theksuar se: “Një koalicion duhet të përbëhet nga së paku dy parti politike. Pas certifikimit, asnjë parti nuk mund të tërhiqet nga koalicioni derisa rezultati i zgjedhjeve të jetë certifikuar nga ana e KQZ-së. Gjithashtu, një parti politike anëtare e një koalicioni nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje.”