Prokuroria Themelore në Pejë ka raportuar për një progres të dukshëm në trajtimin e procedurave alternative, veçanërisht në ndërmjetësim, gjatë periudhës janar-prill 2026.
Sipas njoftimit të prokurorisë, në këtë periudhë katërmujore janë realizuar 100 raste ndërmjetësimi, duke përfshirë gjithsej 183 persona.
Në tri raste, ku është aplikuar pezullimi i përkohshëm i procedurës, të dyshuarit janë detyruar të depozitojnë një total prej 4 mijë eurosh në xhirollogarinë e fshatit SOS.
Ndërkohë, nëpërmjet marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, gjatë të njëjtës periudhë janë arritur katër marrëveshje me katër persona.
Gjithashtu, prokuroria bën të ditur se në rastet kur ndjekja penale nuk është e detyrueshme, janë trajtuar dy raste që përfshinin dy persona brenda këtyre katër muajve.
Prokuroria e Pejës thekson se zbatimi i procedurave alternative kontribuon në rritjen e efikasitetit dhe zgjidhjen më të shpejtë të çështjeve.
