Ahmeti: Zjarrfikësit meritojnë kushte pune dhe trajtim dinjitoz, jo falënderime simbolike
Eksperti i Emergjencave, Tahir Ahmeti, ka theksuar se zjarrfikësit meritojnë kushte pune dhe trajtim dinjitoz, dhe jo thjesht falënderime simbolike. Ky mesazh vjen me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, teksa Ahmeti kujton se këta profesionistë rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë për të shpëtuar të tjerët, por shpesh mbeten të harruar nga institucionet përgjegjëse.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën sociale Facebook, Ahmeti ka ritheksuar se forcat zjarrfikëse kanë nevojë për mbështetje reale. “Zjarrfikësit nuk kanë nevojë për falënderime simbolike, por për kushte pune dhe trajtim dinjitoz, ashtu siç e meritojnë,” ka shkruar ai.
Më tej, eksperti e ka cilësuar “heshtjen institucionale” si “dështim”. Postimi i tij mbyllet me një thirrje për “respekt dhe mirënjohje për të gjithë zjarrfikësit”, duke nënvizuar rëndësinë e tyre thelbësore për sigurinë publike.
