Zgjedhjet e Parakohshme: Qytetarët me Pikëpamje të Ndryshme mbi Fajësinë dhe Pjesëmarrjen

Qytetarët e vendit do t’u drejtohen sërish kutive të votimit më 7 qershor, raporton Ekonomia Online. Kjo ndodh pasi Kuvendi i Kosovës, në natën e 28 prillit, nuk arriti të zgjidhte presidentin e vendit, gjë që çoi Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Lidhur me shkuarjen e vendit në zgjedhje, disa qytetarë fajësojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ndërsa të tjerë opozitën. Pavarësisht dallimeve në qëndrime, shumica deklarojnë se do të marrin pjesë në votime.

Qytetari Xhevat Zeqiraj, në një përgjigje për Ekonomia Online, thekson se do të dalë të votojë me qëllimin për të larguar kryeministrin Kurti nga Qeveria. Ai shprehet: “Nëse nuk dalim të votojmë, na vidhen votat, por edhe nëse votoj vetë, sërish mund të më vidhet vota. Prandaj, duhet dalë. Një e mirë është që vendi po shkon në zgjedhje, sepse kjo Qeveri ka qenë në pushtet për gjashtë vjet dhe shpresojmë që populli të ecë përpara. Ka shkatërruar shtetin gjatë gjashtë viteve, me 20 miliardë euro pa projekte konkrete, të gjitha të bllokuara, pa rezultate. Çmimet kanë arritur në tavan, e ka mjeruar popullin. Shpresoj që populli, diaspora, të jenë vetëdijësuar, sepse e kanë bërë njëfarë lloj inati; vijnë dhe votojnë nga inati ndaj atyre që janë këtu, hipin në aeroplanë, autobusë, makina e shkojnë tutje, duke na lënë pas problemet brenda, e vazhdojnë punën e tyre në Evropë e në botë. Ata edhe nëse votojnë, e kanë të drejtën e votës. Unë kam 90% të familjarëve të mi jashtë, ata janë të mitë, mirëpo mos të shkojnë me inat, sepse shpesh në rrjete sociale, Facebook e të ngjashme, thonë: ‘ua bëmë mirë atyre atje, si votuam e ua lamë Albinin’. Është njëfarë lloj naiviteti dhe njëfarë lloj, nuk e di, janë shumë të mashtruar dhe nuk di si t’ua shpjegoj. Por, një e mirë është që populli shkon në zgjedhje; ky njeri që e kemi sot me emër, që me zor ma nxjerr goja emrin e tij, Albin Kurti, po largohet,” tha Zeqiraj.

Një mendim të ngjashëm ka edhe Zuka Beqiri, i cili deklaroi se gjithmonë do të dalë të votojë, por asnjëherë Lëvizjen Vetëvendosje, pasi, sipas tij, po e çon vendin drejt rënies. “Po, dal unë në zgjedhje dhe do të dal sërish, edhe 300 herë nëse i bëjnë, 300 herë kam për të dalë. Siç e shoh, Lëvizja Vetëvendosje po e çon shtetin teposhtë. Nuk i kam votuar kurrë, as nuk do t’i votoj kurrë,” tha Beqiri për EO.

Ndërkaq, një mërgimtar, Shefqet Kasumi, thotë se fajtor për shkuarjen e vendit në zgjedhje është opozita. “Po, dihet kush po i shkakton këto zgjedhje, po i shkakton opozita, kush tjetër. Këta nuk duan ta çojnë vendin përpara dhe ma merr mendja që do të dalim të gjithë, i madh dhe i vogël do të dalim të gjithë, dhe dihet kush fiton. Aty s’ka dilemë për këtë, sepse populli u vetëdijësua vetë. Populli e di, nuk ka më vjedhje në Kosovë, mjaft e kanë vjedhur deri tani. Do të ketë një ndalesë tashmë, Kosova do të bëhet një ndër qytetet më të mira në Evropë. Zgjedhjet janë të lodhshme, por kur duam ta çojmë vendin përpara, nuk janë të lodhshme asgjë. Nuk hezitojmë aspak, edhe 10 herë, 20 herë, për t’iu treguar se hajdutëria ka qenë, por hajdutëri më s’ka,” tha Kasumi për EO.