Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për plotësimin e ekspertizës financiare në rastin ku Bashkim Kolshi akuzohet për kontrabandë të 180 kilogramëve kokainë dhe shpëlarje parash. Vendimi u mor gjatë seancës së së hënës, pasi gjykatësi Lutfi Shala pranoi propozimin e prokurorit të rastit, Kastriot Mema.
Ky zhvillim vjen pasi prokurori Mema njoftoi se autoritetet gjermane kanë pranuar të dhënat financiare të kërkuara, përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Mema theksoi se të dhënat e siguruara do të shërbejnë për një konstatim sa më të saktë të gjendjes faktike, duke mundësuar një ekspertizë të plotë financiare, siç raportohet nga “Betimi për Drejtësi”.
Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Kolshi, avokati Kujtim Kërveshi, shprehu shqetësimin se Prokuroria kishte ndërmarrë veprime për të siguruar prova të reja pa autorizimin e Gjykatës. Ai shtoi se kërkesa për paraqitjen e provave të reja nga Prokuroria gjatë shqyrtimit gjyqësor ndalohet nga Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës.
Ekspertët financiarë të pranishëm në sallën e gjyqit, Besnik Livoreka dhe Arben Avdyli, deklaruan se plotësimi i kësaj ekspertize mund të zgjasë rreth tri javë, në varësi të volumit të materialit të dorëzuar.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 3 maj 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj Bashkim Kolshit, duke e akuzuar për transportim të narkotikëve të llojit kokainë dhe shpëlarje parash. Sipas aktakuzës, kontrabanda e narkotikut është kryer nga i pandehuri Kolshi përmes dhjetë dërgesave gjatë periudhës prill-maj-qershor 2019.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
