Zyrtarët doganorë në Stuttgart kanë sekuestruar më shumë se 250 kilogramë produkte mishi të paimportueshme gjatë një inspektimi të një autobusi me udhëtime të gjata nga Kosova.

Siç njoftuan zyrtarët doganorë të hënën, zyrtarët vunë re një erë të fortë që vinte nga disa çanta në hambarin e ngarkesave të dielën në mëngjes, gjë që forcoi dyshimin e tyre për ushqime të ndaluara.

Në total, oficerët konfiskuan 252.8 kilogramë produkte mishi.

Burime të IndeksOnline kanë mësuar se kompania në të cilën është kjo sasi e suxhukut është ‘Barileva Tours’.

Përveç sasisë gjigante të mishit, udhëtarët që po udhëtonin me këtë kompani kishin tentuar të fusnin në Gjermani pa deklaruar edhe 700 cigare, dritare alumini, një kondicioner, e madje edhe një kuzhinë të tërë.

Në autobusin e ‘Barileva Tours’ u gjet edhe një qenush i racës Maltipoo, i vlerësuar rreth 2,200 euro, i cili nuk kishte vaksinat e nevojshme. Qeni u dërgua menjëherë në karantinë, ndërsa mallrat u sekuestruan.

Ndaj dy shoferëve dhe një personi tjetër kanë nisur procedurat për evazion fiskal dhe import të paligjshëm të produkteve ushqimore. /IndeksOnline/