Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur me shkrim pyetjeve të gazetarit Blendi Fevziu, gjatë një interviste për emisionin e Tv Klan.
Nën masa të rrepta sigurie, ish-kreu i UÇK-së flet për luftën në Kosovë, postet e tij drejtuese, si dhe për procesin gjyqësor.
“Në qershor 1999, lufta përfundoi. I takoi botës së shqiptarëve të mbijetuar. Sot ‘faji’ im i vetëm është – pse jam gjallë. Nuk i takoj kategorisë së njerëzve që thonë se burgu është për burra; kjo shprehje më duket bezdisëse. Nuk jam altruist, as asket. E kam jetuar jetën, nuk jam fshehur prej saj. E kam ndjekur ritmin e maratonës. Rruga ime nuk ishte as fat e as rastësi, është qëllim që buron nga thellësia e botës sime, është e prekshme dhe transparente. Qysh herët e kisha vendosur gjithë qenien time në funksion të idesë së lirisë”, deklaroi Thaçi.
