Hapet Gjykata Administrative e Kosovës: Albulena Haxhiu e cilëson moment thelbësor për drejtësinë

Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Gjykatës Administrative të Kosovës, duke e vlerësuar nisjen e funksionimit të saj si një moment thelbësor për sistemin e drejtësisë në vend.

Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi se rëndësia e k kësaj gjykate nuk qëndron vetëm në themelimin e saj formal, por kryesisht në ndikimin e drejtpërdrejtë që do të ketë në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Fillimi i punës së Gjykatës Administrative shënon një ditë të rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, por rëndësia e saj e vërtetë do të ndihet më së shumti jashtë këtyre ambienteve, në zyrat dhe në shtëpitë ku qytetarët presin përgjigje. Kjo lidhet me familjet që varen nga një vendim në punën e përditshme të administratës dhe me besimin që njerëzit kanë në marrëdhënie me shtetin”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se vendimet administrative prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Kosovës. “Kur e kemi nisur këtë punë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi pasur para vetes një problem të njohur: shteti vendos, kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për të kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm. Në një Republikë demokratike, vendimi i administratës nuk mund ta lërë qytetarin pa rrugëdalje”, deklaroi Haxhiu.

Ajo theksoi më tej se reforma nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj, por atëherë kur qytetari fillon ta ndiejë në jetën e vet. “Me hapjen e Gjykatës Administrative, uroj fort që qytetari ta ndiejë dorën e shtetit dhe që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme”, përfundoi ajo.