Irani ka paralajmëruar operatorët e hoteleve në Lindjen e Mesme se objektet e tyre mund të shndërrohen në shënjestra legjitime mbrojtëse, nëse vazhdojnë të akomodojnë ushtarë amerikanë.
Ky paralajmërim, i cili u bë i ditur përmes agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Fars dhe u konfirmua nga shefi i diplomacisë, Abbas Araghchi, thekson se çdo hotel apo objekt mikpritjeje që strehon personel ushtarak amerikan mund të konsiderohet objektiv ushtarak nëse kjo praktikë nuk ndërpritet.
Agjencia Fars citon “burime të mirëinformuara” pranë Gardës Revolucionare Iraniane, të cilat pohojnë se lokacionet e përdorura nga personeli amerikan nuk kufizohen vetëm në Bahrejn dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tyre, kapacitete alternative akomodimi për forcat e huaja janë identifikuar tashmë edhe në pjesë të tjera të rajonit, përfshirë Sirinë, Libanin dhe Xhibutin.
Burimet theksojnë se paralajmërimi i Iranit për operatorët e hoteleve është “gjithëpërfshirës dhe përfundimtar”, duke shtuar se çdo objekt që pranon personel ushtarak të huaj, pavarësisht vendndodhjes gjeografike, mund të konsiderohet shënjestër legjitime nëse veprimtaria në fjalë nuk ndërpritet menjëherë.
Më herët gjatë së enjtes, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, publikoi një mesazh në platformën X (dikur Twitter), ku pohoi se ushtarët amerikanë kanë braktisur bazat ushtarake në shtetet arabe anëtare të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit (GCC) dhe tani po qëndrojnë në hotele dhe zyra.
“Që nga fillimi i këtij konflikti, ushtarët amerikanë janë larguar nga bazat ushtarake në GCC për t’u fshehur në hotele dhe zyra,” shkroi Araghchi. Ai shtoi se forcat amerikane po përdorin “qytetarët e GCC-së si mburojë njerëzore” dhe u bëri thirrje hoteleve në vendet e Gjirit Persik të refuzojnë rezervimet nga personeli ushtarak amerikan.
