PSG-ja i bashkohet garës për yllin e Newcastle United
Paris Saint-Germain (PSG) i është bashkuar garës për transferimin e sulmuesit anësor të Newcastle United, Anthony Gordon. Ky zhvillim komplikon ndjeshëm planet e Bayern Munich-ut për të afruar lojtarin anglez.
Sipas raportimeve të “Sky Sports”, transferimi i 25-vjeçarit drejt kampionëve gjermanë aktualisht ‘nuk shihet i mundshëm’, pasi Newcastle mban një qëndrim të fortë në negociata.
Klubi anglez kërkon deri në 90 milionë euro për kartonin e Gordonit. Megjithatë, vlera e vërtetë e lojtarit vlerësohet midis 75 dhe 85 milionë eurove, një shumë të cilën Bayern-i nuk është i gatshëm ta paguajë aktualisht.
Ndërkohë, media “Teamtalk” raporton se në këtë garë është futur edhe PSG-ja. Së bashku me disa klube të tjera të Premier League, klubi francez ka kapacitetin financiar për të përmbushur kërkesat e Newcastle.
Edhe pse Bayern-i ka gati një kontratë pesëvjeçare për Anthony Gordon, çmimi i lartë i kërkuar nga Newcastle mbetet pengesë.
Kjo situatë mund t’i japë avantazh klubit francez në garën për firmën e Gordonit, ndërsa Bayern Munich rrezikon të mbetet prapa nëse nuk rrit ofertën e tij në javët e ardhshme.
