**Si nisi përleshja mes Valverdes dhe Tchouaménit? Zbardhen detaje të reja nga mediat spanjolle**
Situata brenda Real Madridit duket se po del gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit, pas një tjetër incidenti serioz që ka përfshirë mesfushorët Fede Valverde dhe Aurelien Tchouaméni.
Sipas raportimeve të fundit të publikuara nga e përditshmja spanjolle “Diario AS”, Valverde ka vazhduar të akuzojë ashpër Tchouaménin se ka nxjerrë në media detaje rreth konfliktit të tyre të djeshëm.
Mesfushori francez, sipas të njëjtave burime, i ka kërkuar vazhdimisht me qetësi që të ndalojë akuzat. Por Valverde, i paepur, ka vijuar pa pushim, duke e përshkallëzuar ndjeshëm situatën.
Raportohet se disa lojtarë të tjerë të skuadrës kanë tentuar të ndërhyjnë për të qetësuar frymën dhe për të ndalur konfliktin verbal, por pa sukses. Gjatë gjithë këtij tensioni, trajneri Alvaro Arbeloa nuk ka ndërhyrë në momentin kritik të ngjarjes.
Në fund, situata ka degjeneruar në një përleshje fizike mes dy lojtarëve, e cila ka përfunduar me Valverden të rrëzuar në tokë. Ky incident e ka rënduar edhe më tej klimën në dhomat e zhveshjes së Real Madridit.
Ky rast vjen në një moment jashtëzakonisht delikat për klubin, i cili tashmë po përballet me tensione të shumta të brendshme, pikërisht para ndeshjeve vendimtare të sezonit.
