**Yamal i Barcelonës shfaq flamurin e Palestinës dhe thumbon Real Madridin në festimet e titullit**

Futbollisti i talentuar i Barcelonës, Lamine Yamal, i ka dhënë një ton të veçantë festimeve të titullit të La Ligës, duke ngritur flamurin e Palestinës dhe veshur një fanellë që thumbonte rivalët e Real Madridit.

Megjithëse mungoi në “El Clasicon” e fundit të sezonit për shkak dëmtimi, 18-vjeçari, i konsideruar një nga figurat thelbësore në suksesin e skuadrës, nuk mungoi në paradën festive me autobus të hapur.

Më herët gjatë ditës, Yamal tërhoqi vëmendje në rrjetet sociale duke postuar një video ku festonte golin e Ferran Torres në fitoren 2-0 ndaj Real Madridit, shoqëruar me mbishkrimin “talk is cheap” (“fjalët kushtojnë pak”). Kjo u interpretua gjerësisht si një kundërpërgjigje ndaj një postimi të mëparshëm të Jude Bellinghamit.

Gjatë paradës, e cila përshkoi qytetin nga “Camp Nou” drejt qendrës, nuk munguan flamujt tradicionalë të Barcelonës dhe “Senyera” katalanase. Megjithatë, një moment spikati veçanërisht: Lamine Yamal ngriti nga autobusi i ekipit edhe një flamur të Palestinës. Ky gjest, në një kohë kur Spanja ka treguar mbështetje të konsiderueshme për Palestinën, mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale.

Përveç kësaj, lojtari i ri bëri një tjetër “thumbim” drejt Real Madridit. Ai u shfaq me një fanellë ku shkruhej: “Thank God I’m not a Madridista” (“Faleminderit Zotit që nuk jam madridist”), një veprim që padyshim nuk do t’i fitojë simpatinë në “Santiago Bernabéu” herën tjetër që do të luajë aty.

Lamine Yamal nuk është futbollisti i vetëm në Spanjë që ka shfaqur flamurin palestinez kohët e fundit. Sulmuesi Ilias Akhomach, ish-lojtar i “La Masia” dhe aktualisht pjesë e Villarrealit, mori një flamur palestinez nga tifozët gjatë festimeve pas fitores ndaj Maccabi Haifa në Ligën e Konferencës.