Gino Mulliqi rikonfirmohet zëvendëskryetar i Wylie, SHBA
Shqiptaro-amerikani Gino Mulliqi është rikonfirmuar për një mandat tjetër trevjeçar në shërbim të qytetit Wylie, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në Facebook, Mulliqi shprehu mirënjohje të thellë dhe përulësi ndaj kolegëve të tij në këshill, të cilët, siç thotë ai, i besuan edhe një herë detyrën e zëvendëskryetarit (Mayor Pro Tem).
Në postimin falënderues, ai rrëfeu edhe rrugëtimin e tij personal dhe profesional, duke kujtuar me detaje përjetimet e tij si 13-vjeçar gjatë luftës në Kosovë.
“Më kujtohet koha kur isha një djalë 13-vjeçar gjatë luftës në Kosovë. Kishte net të mbushura me frikë dhe pasiguri, net kur familjet nuk e dinin çfarë do të sillte e nesërmja apo nëse do të kishte fare një të nesërme. Atëherë nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se një ditë do të shkoja në Shtetet e Bashkuara si nxënës shkëmbimi në Oregon, do të zhvendosesha në New York për të qenë pranë familjes dhe për të përfunduar studimet, do të ndërtoja një karrierë në Verizon, do të njihja bashkëshorten time të mrekullueshme, do të rrisja fëmijë të mrekullueshëm, do të ndërtoja një biznes dhe përfundimisht do të kisha privilegjin të shërbeja në një detyrë publike në Wylie, Texas.”
“Prandaj, do të besoj gjithmonë me gjithë zemër se ëndrra amerikane është gjallë dhe e pranishme. Ky vend më dha mundësi që dikur nuk i mendoja të mundshme. Amerika më dha një shans. Wylie më dha një shtëpi”, përfundoi Mulliqi në deklaratën e tij.
Ai falënderoi qytetarët e Wyliet për besimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke u zotuar se do të vazhdojë të punojë me përkushtim çdo ditë për zhvillimin dhe mirëqenien e këtij komuniteti.
