Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, mbajti të mërkurën një konferencë për shtyp pas një aksioni simbolik të PSD-së në sheshin “Nëna Terezë”. Gjatë fjalës së tij, Molliqaj foli për rolin e opozitës dhe kritikoi partitë opozitare në vend.
Gjatë konferencës, një qytetar e ndërpreu Molliqajn duke e pyetur drejtpërdrejt: “Ti a po lufton kundër pushtetit apo kundër opozitës?”
Molliqaj theksoi se kur ai ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri aktual Albin Kurti kishte 26 për qind të mbështetjes, ndërsa sipas tij, opozita e ka dyfishuar këtë përkrahje.
“Po, po ta them, po ta shpjegoj. Nëse e ke problem qeverisjen e vendit, duhet të ketë opozitë. Nëse nuk e ke problem, atëherë jemi në rregull. Por këta e kanë rritur Kurtin. Sepse shumë qytetarë më thonë (se unë e rrita)… me të drejtë, unë kam ndihmuar dhe kam kontribuar atje. Por unë e kam lënë Kurtin me 26%. Këta e kanë çuar në 51%. Dyfishim! Prandaj unë besoj që opozita është e rëndësishme të jetë vërtetë. Le të bëhen opozitë e mirëfilltë dhe të bashkëpunojmë. Por kështu siç i shërbejnë atij dhe të tjerëve, nuk është e pranueshme”, u shpreh Molliqaj.
I pyetur nga gazetarët se cili do të ishte ndryshimi i PSD-së nga partitë e tjera opozitare, nëse do të siguronte mandate në Kuvend, ai tha se partia e tij do të jetë e pranishme në seanca dhe do të reagojë në varësi të çështjeve që trajtohen.
“Në varësi të problemit. Pra, ne besojmë që reagimi nuk është as model i paracaktuar, as i parashikuar. Në varësi të zhvillimeve dhe shkallës së problemit, do të jetë edhe reagimi ynë. Ajo që është e qartë: ne nuk jemi opozitë që vetëm flet, dhe ne nuk jemi opozitë që kur në Kuvend votohet ose diskutohet për çështje të rëndësishme, të dalim jashtë Kuvendit për të bërë selfie dhe për t’u ankuar”, vijoi ai.
