**Lewandowski largohet nga Barcelona: Nuk ka marrëveshje për kontratën e re**

Robert Lewandowski po i jep fund aventurës së tij te Barcelona. Sulmuesi polak nuk ka arritur një marrëveshje me klubin katalanas për vazhdimin e kontratës dhe pritet të largohet si agjent i lirë në fund të sezonit.

Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i mirënjohur i merkatos, Fabrizio Romano, i cili thekson se bisedimet për rinovimin kanë ngecur plotësisht. Kjo nënkupton që, në mungesë të një propozimi të ri nga Barcelona, Lewandowski do të kërkojë një klub të ri pas datës 30 qershor, kur edhe i skadon zyrtarisht kontrata aktuale.

Pavarësisht moshës 37-vjeçare, sulmuesi ka tërhequr interesin e disa klubeve. Ai ka në tryezë oferta nga Kampionati Saudit Pro League, klubet e MLS në Shtetet e Bashkuara, si dhe disa skuadra italiane, megjithëse këto të fundit e konsiderojnë atë mjaft të shtrenjtë.

Robert Lewandowski pritet t’u japë lamtumirën tifozëve të Barcelonës në ndeshjen ndaj Real Betis, e cila do të luhet më 17 maj në stadiumin “Camp Nou”. Polaku iu bashkua Barcelonës katër vite më parë nga Bayern Munich dhe gjatë kësaj periudhe ka shënuar plot 119 gola, duke lënë një shenjë të rëndësishme në historinë e klubit.