Interesimi nga Barcelona, Chelsea cakton çmimin për Joao Pedro-n
FC Barcelona ka zhvendosur fokusin nga Julian Alvarez i Manchester Cityt. Klubi katalanas e konsideron transferimin e tij shumë të vështirë këtë verë. Megjithatë, as opsionet e tjera nuk pritet të jenë të lehta për t’u realizuar.
Të enjten u raportua se sulmuesi i Chelseat, Joao Pedro, është kthyer në prioritetin kryesor të Barcelonës. Drejtori sportiv, Deco, thuhet se ka nisur tashmë bisedimet për brazilianin. Pedro vlerësohet si një profil ndryshe nga Alvarez, por drejtuesit e Barcelonës besojnë se ai mund t’i ofrojë skuadrës cilësi të larta dhe, më e rëndësishmja, do të kushtonte më pak.
Mediat katalanase raportojnë se Barcelona shpreson të sigurojë Pedro-n për rreth 70 milionë euro. Mirëpo, sipas “MD”, Chelsea nuk ka ndërmend ta shesë lojtarin për këtë shifër. Klubi londinez kërkon afërsisht 100 milionë euro për brazilianin, të cilin e konsideron një nga pikat kyçe të skuadrës.
Joao Pedro iu bashkua Stamford Bridge vetëm verën e kaluar për 63.7 milionë euro. Prandaj, nuk është çudi që Chelsea kërkon të përfitojë më shumë nga shitja e 24-vjeçarit, i cili ka një kontratë afatgjatë deri në vitin 2033.
Një faktor thelbësor do të jetë kualifikimi i Chelseat në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Nëse klubi londinez nuk siguron një vend në kompeticionin elitar evropian, kjo mund të rrisë nevojën për shitje lojtarësh për të balancuar financat. Gjithashtu, një situatë e tillë do t’i jepte Joao Pedros më shumë arsye për të kërkuar largimin.
Një tjetër sfidë për Barcelonën mund të jetë fakti se më parë raportohej që katalanasit ishin të gatshëm të ofronin deri në 100 milionë euro për Julian Alvarezin. Kjo i jep Chelseat dijeni se Barcelona mund të ofrojë më shumë se 70 milionët që po tenton të paguajë aktualisht.
Ndërsa Barcelona ka padyshim nevojë për një sulmues klasik për sezonin e ardhshëm, pagesa e 100 milionë eurove për Joao Pedro-n duket si një investim shumë i lartë. Ai sapo ka përfunduar sezonin e tij të parë në Ligën e Kampionëve dhe ka vetëm tetë paraqitje me kombëtaren e Brazilit.
