Gazetari i njohur italian, Nicolò Schira, raporton se trajneri portugez José Mourinho ka arritur një marrëveshje personale me Real Madridin. Kontrata e propozuar pritet ta mbajë atë në “Santiago Bernabéu” deri në vitin 2028.

Sipas raportit, klubi mbretëror tashmë është i gatshëm të paguajë klauzolën e lirimit te Benfica, me qëllim që të rikthejë portugezin e njohur në kryeqytetin spanjoll.

Ky rikthim do të shënonte një nga lëvizjet më të bujshme në futbollin europian, pasi Mourinho ka drejtuar më parë Real Madridin nga viti 2010 deri në 2013. Gjatë asaj periudhe, ai fitoi titullin e La Ligës, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.

Emri i Mourinhos është lidhur shpesh me rikthime spektakolare gjatë karrierës së tij. Një rikthim tjetër te Real Madridi do të sillte sërish një figurë karizmatike dhe me eksperiencë të jashtëzakonshme në pankinën e klubit spanjoll.