Shqipëria, stërvitje të përbashkëta me Kroacinë dhe Kosovën; Nufi: Stërvitja NATO-Serbi nuk na shqetëson

**Tiranë** – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi në një konferencë për mediat se Shqipëria do të zhvillojë tre stërvitje ushtarake të përbashkëta me Kroacinë dhe Kosovën. Ai foli gjithashtu për stërvitjen e përbashkët mes NATO-s dhe ushtrisë serbe, duke theksuar se kjo nuk përbën aspak shqetësim për Shqipërinë.

“Kemi një bashkëpunim të ngushtë me Kroacinë dhe Kosovën në fushën e mbrojtjes. Marrëveshja me Kroacinë, si dy vende anëtare të NATO-s, synon nxitjen e bashkëpunimit në kuadër të strategjisë mbrojtëse të aleancës,” u shpreh ministri Nufi.

Ai shtoi se bashkëpunimi me Kosovën fokusohet te prodhimi i mjeteve ushtarake.

Lidhur me stërvitjen që po zhvillohet aktualisht mes NATO-s dhe ushtrisë serbe, ministri Nufi theksoi: “Fakti që kjo stërvitje ndodh dhe fakti që Shqipëria e Kroacia janë pjesë e NATO-s, si dhe prezenca e KFOR-it (mision i NATO-s) në Kosovë, tregon që stërvitja e NATO-s atje është më shumë nxitje e flakës mediatike atje”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, dha detaje rreth stërvitjeve të përbashkëta. Ai sqaroi se stërvitjet do të zhvillohen, një në Kroaci (aktualisht në fazë planifikimi) dhe një tjetër në Shqipëri. Kingji shtoi se në këto stërvitje nuk do të marrin pjesë vetëm tre shtetet, por edhe vende të tjera, qoftë nga NATO, qoftë nga vende partnere me të cilat Shqipëria bashkëpunon.