Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka deklaruar se i përgjigjet institucioneve të Republikës, duke bërë thirrje që Prokuroria të mos instrumentalizohet, në kundërshtim me qëndrimin e Albin Kurtit. Deklarata e tij vjen përmes një postimi në Facebook, para intervistimit të tij lidhur me një rast të djeshëm.

Lushtaku theksoi se, “si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë”. Ai ka shtuar se i respekton institucionet për të cilat ai dhe bashkëluftëtarët e tij kanë luftuar dhe kanë dhënë gjithçka.

Në vijim të postimit, ai ka bërë një krahasim me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke deklaruar: “Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe u përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës.”

Në fund të deklaratës së tij, Lushtaku ka bërë thirrje për qetësi dhe maturi, si dhe ka shprehur shpresën se Prokuroria “të mos instrumentalizohet, por ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndikime dhe pa presion.”