Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar sot në Prishtinë se viti 2026 mund të shënojë një moment kyç për perspektivën evropiane të Kosovës. Ajo i bëri thirrje forcave politike në vend për stabilitet institucional dhe bashkëpunim të ngushtë.
Këtë deklaratë, Kos e bëri pas takimit të zhvilluar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Ajo shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe vlerësoi mbështetjen e qytetarëve të Kosovës për integrimin evropian.
“88 për qind e qytetarëve të Kosovës besojnë në perspektivën evropiane të vendit. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi thirrjes së tyre për të intensifikuar punën në çështjet ekonomike, në avancimin demokratik dhe në reforma,” shkroi ajo në rrjetet sociale.
Komisionarja evropiane theksoi se Kosova mund të përfitojë nga një vrull i ri në marrëdhënie me Bashkimin Evropian. Megjithatë, ajo shtoi se kjo kërkon unitet politik dhe stabilitet afatgjatë institucional.
“Viti 2026 mund të jetë një periudhë me mundësi evropiane për Kosovën. Kjo kërkon që forcat politike të bashkohen dhe të sigurojnë stabilitet institucional afatgjatë,” përfundoi Kos.
