**Izrael / SHBA: Trump njofton Netanyahun për Kinën, Këshilli i Sigurisë mblidhet mes alarmeve për Iranin**
Këshilli i Sigurisë i Izraelit do të mblidhet së shpejti nën drejtimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, mes raportimeve për përgatitje të mundshme të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për një konflikt të ri me Iranin.
Ndërkohë, Netanyahu ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ku janë diskutuar rezultatet e vizitës së Trump në Kinë dhe takimet e tij me homologun kinez, Xi Jinping.
Këto zhvillime pasojnë një sulm me dron ndaj një centrali bërthamor në Emiratet e Bashkuara Arabe. Si Emiratet ashtu edhe Izraeli kanë qenë shënjestër e goditjeve të rënda nga Irani gjatë konfliktit të fundit në rajon.
“Jemi vigjilentë për çdo gjë që lidhet me Iranin”, deklaroi Netanyahu gjatë mbledhjes javore të qeverisë. Ai theksoi se do të dëgjojë përshtypjet e Trump nga takimi në Kinë dhe se Izraeli është i përgatitur për çdo skenar të mundshëm.
Javën e kaluar, presidenti Trump zhvilloi një samit në Pekin me homologun e tij kinez, Xi Jinping. Sipas Trump, Xi ka ofruar ndihmë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për tregtinë globale të naftës, e bllokuar nga Irani. Trump deklaroi gjithashtu se Kina është zotuar të mos dërgojë pajisje ushtarake për të mbështetur Teheranin në luftë.
Pas kthimit nga Kina, Trump publikoi në rrjetet sociale një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale (AI). Imazhi shfaqte një det të trazuar me anije ushtarake, mes të cilave edhe një me flamur iranian. Postimi shoqërohej me mbishkrimin: “Ishte qetësia para stuhisë”.
/Panorama
