Premier League konfirmon: Rekordi i asisteve i Bruno Fernandesit mbetet i padiskutueshëm.

Një zëdhënës i Premier League ka bërë të ditur se Paneli i Akreditimit të Golave ka shqyrtuar golin e Patrick Dorgut dhe ka konfirmuar vlefshmërinë e tij. Kjo vjen pasi u ngritën dyshime nëse ky gol duhej regjistruar si autogol.

Të dielën pasdite, kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, theu rekordin historik të asisteve në Premier League gjatë ndeshjes së fundit të sezonit kundër Brightonit. Ai regjistroi asistin e tij të 21-të, kur Patrick Dorgu shënoi me kokë pas harkimit të tij.

Premier League i dorëzoi Fernandesit çmimin “Golden Playmaker” dhe e vlerësoi arritjen e tij si asistuesi më i mirë në një sezon të vetëm, duke publikuar një postim të veçantë në rrjetet sociale.

Duke kaluar emra si Kevin De Bruyne dhe Thierry Henry me asistin e tij të 21-të, Fernandes shprehu entuziazmin: “Është fantastike. Ndihem shumë i lumtur për këtë. Një moment shumë krenar, sigurisht nuk është diçka që do ta ëndërroja apo mendoja derisa iu afrova kaq shumë.”

Megjithatë, pas shqyrtimit të golit të Dorgut, disa tifozë dhe analistë kishin ngritur dyshime nëse ai duhej regjistruar si autogol. Kjo pasi goditja me kokë fillimisht u përplas në traversë, më pas në portierin e Brightonit, Bart Verbruggen, përpara se të përfundonte në rrjetë.

Rasti shkaktoi debate të shumta mes tifozëve në rrjetet sociale, por të hënën erdhi konfirmimi se rekordi i asisteve të Fernandesit do të mbetet i vlefshëm dhe nuk do të ketë ndryshime.

Një zëdhënës i Premier League, cituar nga “Football London”, deklaroi: “U vendos që ishte gol i [Patrick] Dorgut dje. Fillimisht nga ‘Opta’, dhe më pas nuk pati ndryshim nga Paneli i Akreditimit të Golave.”

Fernandes mori urime nga shumë figura të futbollit pas arritjes së asistit të tij të 21-të, përfshirë ish-rekordmenin Thierry Henry, i cili kishte shënuar 20 asiste për Arsenalin në sezonin 2002-03.

Henry i dërgoi një mesazh Steven Bartlettit të podcastit “The Diary of a CEO”, ku shkruhej: “Ju lutem përshëndeteni nga ana ime. E dua atë! Braino Fernandes!”

Në sezonin 2019-20, Kevin De Bruyne barazoi rekordin e Henryt, por kishte shprehur pakënaqësi kur Premier League i mohoi një asist pas fitores 3-0 të Manchester Cityt ndaj Arsenalit. Krosimi i tij për Raheem Sterling u anulua pasi u konsiderua se topi ishte devijuar lehtë nga thembra e Calum Chambers.

Duke folur për kanalin zyrtar të Cityt, De Bruyne ishte shprehur: “Në mendjen time, unë jam në 22 asiste. Më janë hequr dy nga liga – veçanërisht në transfertë ndaj Arsenalit. Por në fund, është siç thonë ata.” Ai e përmendi gjithashtu rastin në një intervistë për Premier League, e cila më pas e përfshiu atë krosim si klipin e parë në një video për të festuar 100 asistet e tij në Premier League. “Ata ende ma morën një ndaj Arsenalit,” tha ai. “Ma morën një dhe kur festuan asistin tim të 100-të, e vendosën si klipin e parë në video. A mund ta imagjinoni sa gabim ishin?”