**Zgjidhja për Ngushticën e Hormuzit afër? Propozimi iranian ngjall skepticizëm tek SHBA**
Ndonëse zyrtarët amerikanë sinjalizojnë mundësinë e një marrëveshjeje të afërt me Iranin lidhur me Ngushticën e Hormuzit, një propozim i ri nga Teherani ka ngjallur skepticizëm në Uashington. Këto zhvillime vijnë pas kërcënimeve të fundit të Presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit dhe vijimësisë së përpjekjeve diplomatike për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit në rajon.
Përpjekjet diplomatike për zbutjen e tensioneve janë në zhvillim e sipër dhe kanë avancuar ndjeshëm, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid al-Ansari. Duke folur në Doha, ai theksoi se “të gjithë në rajon po punojnë së bashku për të shmangur një përshkallëzim të situatës”.
Përparime në bisedime janë konfirmuar edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili shprehu shpresën se një marrëveshje përfundimtare “do të ndodhë shumë shpejt”, ndonëse nuk është arritur ende.
Megjithatë, al-Ansari sqaroi se ende nuk ka një marrëveshje konkrete për Ngushticën e Hormuzit, por shtoi se situata “mund të ndryshojë në ditët ose orët e ardhshme”. Bisedimet zhvillohen vetëm përmes ndërmjetësve, pa kontakte të drejtpëdrejta mes Teheranit dhe Uashingtonit, sipas burimeve nga Irani.
Presidenti amerikan Donald Trump i bëri të hënën (03.08.) sërish presion Teheranit për të arritur një zgjidhje përmes negociatave. Nga Shtëpia e Bardhë ai deklaroi: “Dua t’u jap edhe një mundësi të fundit përpara se të përballen me pasoja shumë të rënda.” Sipas tij, fillimisht duhet të diskutohet për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe më pas për zgjidhjen e mosmarrëveshjes lidhur me programin bërthamor iranian.
Irani ka paraqitur një propozim për një itinerar të ri qarkor në Ngushticën e Hormuzit. Ky propozim parashikon që anijet tregtare të hyjnë në Ngushticën e Hormuzit nga një korridor verior, që kalon nëpër ujërat territoriale iraniane. Pasi të kenë ndaluar në porte në Iran ose në vendet arabe të Gjirit Persik, ato mund të kthehen duke përdorur një korridor jugor, i cili kalon nëpër ujërat territoriale të Omanit.
Megjithatë, ky propozim po ngjall rezerva në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, sipas raportimeve të The New York Times. Shqetësimet lidhen me praninë e minave detare iraniane në ujërat e Omanit, të cilat do të kërkonin koordinim me Teheranin për sigurinë e anijeve. Gjithashtu, ekziston frika se kjo zgjidhje do t’i jepte Iranit mundësinë të kontrollonte hyrjen e anijeve në Gjirin Persik dhe të impononte tarifa për to.
