Gruaja shpëtohet nga rreziku i jetës në Kaçanik, falë ndërhyrjes së Policisë dhe Zjarrfikësve
Një grua rreth 30 vjeçe është shpëtuar nga një situatë e rrezikshme në Kaçanik, falë reagimit të shpejtë të Policisë së Kosovës, zjarrfikësve dhe ekipit të emergjencës. Ngjarja ka ndodhur më 4 gusht 2026, rreth orës 18:20.
Stacioni policor i Kaçanikut u njoftua nga njësia rajonale e trafikut, e cila gjatë patrullimit në rrugën magjistrale kishte vërejtur gruan duke ecur në një pjesë të urës, në afërsi të Fushës së Pajtimit, në rrethana që ngritën dyshime për rrezik të mundshëm ndaj jetës së saj.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes reaguan patrullat policore, hetuesit, shërbimi zjarrfikës dhe ekipi i Urgjencës.
Falë reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, rreth orës 18:35, gruaja u largua me sukses nga zona e rrezikshme dhe u vendos në një vend të sigurt, pranë rrethrrotullimit të Fushës së Pajtimit.
Në vendngjarje, ekipi mjekësor i Urgjencës i ofroi ndihmën e nevojshme mjekësore. Për rastin u njoftuan Prokurori i Shtetit dhe Qendra për Punë Sociale, pasi gruaja nuk kishte familjarë apo kujdestarë që të kujdeseshin për të.
Policia e Kaçanikut, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe strehimin e saj.
Policia mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve dhe falënderon të gjitha institucionet e përfshira për bashkëpunimin dhe reagimin profesional në këtë ngjarje.
