**Ministri Nufi: Nuk ka arsye për panik pas paralajmërimit të SHBA-së për kërcënim iranian ndaj Shqipërisë**
Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, është shprehur pas paralajmërimit të Ambasadës Amerikane në Shqipëri se Irani mund të sulmojë objektiva të lidhura me SHBA-në në vendin tonë.
Nufi thekson se nuk ka arsye për panik dhe se qytetarët shqiptarë duhet të jenë të qetë, pasi sipas tij, siguria e tyre është e garantuar.
I pyetur nëse Shqipëria ndodhet nën kërcënim, Nufi, duke folur në hyrje të Kuvendit, deklaroi:
“Besoj se Shtetet e Bashkuara, me paralajmërimin që kanë bërë, i drejtohen qytetarëve të tyre, dhe SHBA-të janë veçanërisht të kujdesshme për mbrojtjen e tyre. Përsa u përket qytetarëve shqiptarë, siguria është e garantuar nga aleanca më e fuqishme ushtarake në botë. Ne, si qeveri, kemi marrë të gjitha masat dhe kemi ndjekur procedurat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Jemi në një situatë konflikti. Jemi një shtet që kemi mbajtur një qëndrim të prerë ndaj atij regjimi. Sulmet nga aktorë dashakeqës të lidhur me atë shtet kanë filluar që në vitin 2022, dhe sërish, ditët e fundit, kemi parë sulme ndaj Parlamentit dhe Postës. Qytetarët shqiptarë duhet të jenë të qetë dhe të sigurt. Duhet të jemi të kujdesshëm, por nuk ka vend për panik,” tha ministri Nufi për A2 CNN.
**Ambasada Amerikane në Tiranë reagon pas paralajmërimit për sulme nga Irani**
Edhe Ambasada Amerikane në Tiranë reagoi sot lidhur me paralajmërimin e djeshëm se grupe të lidhura me Iranin mund të sulmojnë objektiva të caktuara në Shqipëri.
E pyetur nëse alarmi i lëshuar mbrëmë bazohet në ndonjë kërcënim konkret apo informacion të besueshëm specifik për Shqipërinë, apo nëse ishte një paralajmërim paraprak në kuadër të zhvillimeve më të gjera rajonale, një zyrtar i ambasadës amerikane tha: “Do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i gatshëm.”
“Siguria dhe mbrojtja e amerikanëve është një prioritet absolut për Administratën Amerikane. Ne bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe zbutur rreziqet e sigurisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara vlerëson bashkëpunimin e ngushtë në çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ka demonstruar një angazhim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve të Shqipërisë. Ne do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm,” thuhej në përgjigjen e Ambasadës.
Paralajmërimi i Ambasadës amerikane erdhi disa javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike kundër institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi i Shqipërisë e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.
