Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të nisë sonte fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit. Tubimi inaugurues mbahet në Gjakovë, në Platonë e Parkut të Qytetit, duke nisur nga ora 19:45.
Siç bëhet e ditur në komunikatën për media të AAK-së, partia ka zgjedhur Gjakovën për të shënuar nisjen e fushatës së saj zgjedhore.
Në njoftim theksohet se: “Aleanca nis fushatën zgjedhore në vendin ku fillon çdo projekt i madh për Kosovën – në Gjakovë.”
Gjatë këtij tubimi, kryetari i AAK-së dhe kandidati i propozuar për kryeministër, Ardian Gjini, pritet të shpalosë programin dhe vizionin e partisë për të ardhmen e vendit. Programi thuhet se është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: Siguri, Energji dhe Zhvillim.
